Statuti2014-01-09T19:13:15+00:00

Në përputhje me dispozitat e nenit 11 të Ligjit mbi partitë politike (Fl. Zyrtare e RMZ Nr. 21/04 të 31.03.2004) Kuvendi i FORCËS SË RE DEMOKRATIKE, i mbajtur më 12 mars 2011 aprovoi

STATUTIN E FORCËS SË RE DEMOKRATIKE

DISPOZITAT THEMELORE

Neni 1

Me statutin e FORCËS SË RE DEMOKRATIKE ( në vijim FORCA ) rregullohen:

–          qëllimet e bashkimit dhe mënyra e realizimit të tyre

–          emblema dhe selia

–          kushtet dhe mënyra e anëtarësimit dhe tërheqja nga anëtarësimi, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e anëtarëve,

–          organizimi dhe organet e FORCËS

–          të ardhurat dhe disponimi me to

–          aprovimi i akteve të FORCËS

–          ndërprerja e punës

QËLLIMET E PARTISË

Neni 2

Forca e Re Demokratike është organizatë politike e formuar me qëllim që të veproj në mënyrë publike për përhapjen e parimeve demokratike, realizimit të barazisë nacionale, decentralizimit të pushtetit dhe realizimit të idealit të individit të lirë dhe të shoqërisë së lirë, barazisë gjinore, mbrojtjes së pronës, pushtetin e së drejtës dhe shtetit ligjor, të tregut të lirë, bazuar në zhvillim të qëndrueshëm, kohezion social, mbrojtjes së mjedisit dhe të drejtës sociale në Mal të Zi.

Për realizimin e qëllimeve të përmendura më lartë, FORCA do të shfrytëzojë të gjitha mjetet e lejuara që janë në përputhje me kushtetutë dhe me ligje si dhe aktet ndërkombëtare.

QËLLIMET E FORCËS NË PLANIN NACIONAL

Neni 3

Qëllimet programore në planin nacional të FORCËS janë zbatimi i Konventës evropiane për drejtat e njeriut, sigurimi i aksionit afirmativ  në zhvillimin ekonomik të trevave ku Shqiptarët përbëjnë shumicën, sigurimi i aksionit afirmativ në sistemin zgjedhor për Shqiptarët në Mal të Zi, sigurimi i mjeteve shtesë nga Buxheti i Malit të Zi për financimin e infrastrukturës komunale me qellim të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik, Integrimin kulturor, politik, ekonomik të popujve pakicë në Mal të Zi në baza të barabarta në suaza të integrimeve evropiane.

Shkollimi në gjuhën amtare në të gjithë nivelet, përdorimi i lire i simboleve nacionale, përdorimi i lire i gjuhëve të popujve pakicë në administratë në bashkësitë lokale ku ato përbëjnë shumicën ose numër të konsiderueshëm janë synimi i FORCËS.

Decentralizimi i mëtejshëm administrativ duke punuar për jetësimin e Komunës së plot të Malësisë- Tuzit, rritja e kompetencave të bashkësive vendore në lëmine arsimit, sigurisë, shëndetësisë dhe sidomos në lëmin e zhvillimit ekonomikë dhe planifikimit hapësinor.

Përshpejtimi i procesit të kthimit të pronave si kusht për rritjen e mirëqenies ekonomike të shqiptarëve ne Mal të Zi si dëshmi e sundimit e shtetit e së drejtës dhe barazisë dhe drejtësisë.

Aktivizimi i kalimit kufitar të Sukubinës dhe Plavës për qarkullim të mallrave, ndërtimi i infrastrukturës rrugore në komunat ku jetojnë shqiptarët, qarkullimi i lirë pa pasaportë me Shqipëri dhe Kosovë, si parakusht i qarkullimit të lirë dhe zhvillimit ekonomik, vjelja e të ardhurave nga shfrytëzimi i resurseve në nivelin lokal (të mirat detare, burimet minerale e tj.), themelimi i institucioneve nacionale kulturore, arsimore, informative etj.

Integrimi i shqiptarëve në Mal të Zi, posaçërisht në komunat e Tivarit, Rozhajës por dhe Plavës, ku zvogëlimi i vazhdueshëm dhe emigrimi i popullatës ndikon në varfërimin apo asimilimin e tyre.

Pjesëmarrja proporcionale e popujve pakicë në organet ligjdhënëse, gjyqësore dhe ekzekutive të Malit të Zi konform Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare me qëllim të përfaqësimit adekuat që pjesëmarrja në vendimmarrje e popujve pakicë të ec drejt integrimit të përshtatshëm ne Mal të Zi.

Politika e Forcës përcaktohet edhe ne dokumente tjera që miratohen në përputhje me Statutin.

EMRI, SELIA DHE SIMBOLET

Neni 4

Emri i partisë është:

‘’FORCA E RE DEMOKRATIKE’’
Emri i shkurtër i partisë është FORCA
Selia e partisë është në Ulqin.
Vula e Partisë është në formë të rrumbullakët.

Shenji i Partisë është: gravura e Ulqinit të Vjetër e rrethuar me elementët e Bashkimit Evropian me mbishkrim në gjuhën shqipe, malazeze dhe angleze dhe me shkurticën FORCA.

ANTARSIA, TË DREJTAT DHE OBLIGIMET

Neni 5

Anëtar i FORCËS mund të jetë secili qytetar i moshës madhore të Malit të Zi i cili pranon parimet programore,qëllimet dhe statutin e Partisë dhe i cili dëshiron të punojë në realizimin e tyre
Anëtarësia në FORCA arrihet me nënshkrimin e fletës së anëtarësimit.

Neni 6

Anëtari i FORCËS merr pjesë në aktivitetet e Partisë dhe ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjedhet në organet e partisë.

Anëtari i FORCËS ka të drejtë në mbrojtje të plotë në rast të mosrespektimit të të drejtave të tija për shkak të përkatësisë në FORCË apo në kryerjen e punëve partiake.

Neni 7

Anëtari i Partisë është i detyruar të përhapë idetë të cilat përfaqëson Partia, të ruajë dhe të avancojë autoritetin e Partisë, që në zgjedhje të përpjekjet për suksesin e Partisë dhe brenda mundësive të veta të ndihmojë materialisht Partinë.

Neni 8

Anëtari i Partisë ka të drejtë që në punën e organeve dhe forumeve të Partisë të shprehë mendimin e vetë dhe të marrë qëndrime në lidhje me çështjet për të cilat bëhet fjalë dhe vendosin organet dhe forumet e Partisë.

Për shprehjen e mendimit apo për marrjen e një qëndrimi të caktuar, në lidhje me paragrafin një të këtij neni,  anëtari i Partisë nuk mund të bëhet viktimë e sanksioneve përveç në rastet kur mban qëndrime që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor,fetar, racor apo nacional.

Neni 9

Anëtarësimi në FORCË pushon :

­   Me dalje vullnetare

­   Me përjashtim

­   Me anëtarësim në ndonjë parti tjetër

­   Me shlyerjen nga evidenca

­   Me kandidimin në lista tjera zgjedhore

­   Me kandidimin në listën zgjedhore pa përfillur vendimet e Partisë.

 

Neni 10

Përjashtimi është mënyrë e jashtëzakonshme e pushimit të anëtarësisë në FORCË.

Anëtari mund të përjashtohet nga Partia në raste kur:

­   Merr pjesë në aktivitetet politike dhe shfaq publikisht qëndrimet që janë të kundërta me programin dhe me qëndrimet politike të Partisë,shkel dispozitat e statutit të Partisë dhe në atë mënyrë i bënë dëm Partisë.

­   Nuk realizon vendimet e Partisë për të cilat është i ngarkuar ose punon në kundërshtim me to.

­   Shfaq në publik debatet,përfundimet dhe materialin e shkruar nga mbledhjet e organeve të Partisë, e nuk është për këtë i autorizuar.

 

Procedurën e përjashtimit e inicion këshilli vendor apo Kryetari i Partisë. Vendimin për përjashtim e bie Kryesia e Partisë. Vendimi i dorëzohet anëtarit të përjashtuar i cili ka të drejtë ankese Këshillit Qendrorë në afatin prej 15 ditësh. Vendimi i Këshillit Qendror është Përfundimtar.

Neni 11

Anëtarësia në FORCË përfundon për shkak të moskryerjes të obligimeve nga neni 7 i statutit për periudhën prej më së paku një viti. Propozimin për shlyerjen e jep Këshilli komunal apo kryetari i Partisë, për të cilin vendim informon Kryesinë dhe anëtarin në fjalë i cili ka të drejtë ankese Këshillit Qendror. Vendimin për shlyerjen e bie Kryesia. Vendimi i Këshillit Qendror është përfundimtar.

Neni 12

Partia mund të ketë anëtar nderi. Anëtar nderi mund të emërohet personi të cilin në mënyrë publike kanë shprehur besnikërinë dhe angazhimin për parimet themelore të FORCËS. Për dhënien e këtij emërimi vendos Këshilli Qendror i FORCËS.

ORGANIZIMI DHE ORGANET E FORCËS

Neni 13

Organet e partisë janë Kuvendi i partisë, Këshilli qendror, Kryetari dhe Kryesia.

Neni 14

Kuvendi është organi më i lartë i FORCËS . Ai mund të jetë i rregullt, i jashtëzakonshëm apo zgjedhor. Kuvendi mbahet më së paku një herë në dy vite.

Kuvendi zgjedhor mbahet një herë në katër vite. Kuvendin e përbëjnë përfaqësuesit e zgjedhur (anëtar i kuvendit) të këshillave organizative (komunal dhe vendor). Anëtari i Kuvendit të Partisë zgjidhet në periudhën prej katër vitesh. Mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të kuvendit të partisë e përcakton Këshilli Qendror.

Në rastet kur anëtarit të Kuvendit, në ndërkohë për çfarëdo lloj shkaku, i përfundon anëtarësimi në FORCË, në vend të anëtarit të kuvendit zgjedhet anëtar të ri.

Kuvendi mund t’ia shkurtojë mandatin vetes. Propozimin për shkurtimin e mandatit e jep: Këshilli Qendror, Kryetari apo më së paku një e treta e anëtarëve të kuvendit.

Propozimi për shkurtim të mandatit duhet të jetë me shkrim dhe i arsyetuar.

Me shkurtimin e mandatit të Kuvendit, shkurtohen edhe mandatet e të gjitha organeve të Partisë.

Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor (në përbërje të re) mbahet në afatin prej 30 ditësh nga dita e prurjes e marrjes së vendimit mbi shkurtimin e mandatit të Kuvendit.

Vendimin mbi shkurtimin e mandatit e bie më shumë se gjysma e anëtarëve të Kuvendit.

Nëse për shkaqe të caktuara e posaçërisht të interesave të partisë, nuk mund të thirret kuvendi i rregullt apo i jashtëzakonshëm, kuvendi i rregullt mund të thirret me kalimin e më së paku një vitit nga dita e mbajtjes së kuvendit të kaluar zgjedhor të thërrasë kuvendin e ri zgjedhor i cili do ti ketë atributet e kuvendit të rregullt dhe do të prodhojë efektet e kuvendit të rregullt zgjedhor. Vendimet për kriteret, kohën dhe vendin e mbajtjes së tij i bie Këshilli Qendror i partisë.

Neni 15

Kuvendi thirret me propozim të:

­   Kryetarit të partisë,

­   Këshillit qendror,

­   Më shumë se një e treta e anëtarëve të Kuvendit.

 

Neni 16

Puna e kuvendit është valide kur në seancë janë prezent shumica e anëtarëve të Kuvendit.

Kuvendi zgjedhor zgjedh kryesinë e vet të punës. Kuvendit të rregullt i kryeson Kryetari i partisë. Vendimet merren  me shumicën e votave të anëtarëve të Kuvendit që janë prezent, përveç nëse me statut nuk është e paraparë ndryshe.

Neni 17

Të gjitha vendimet nga kompetenca e tij Kuvendi i aprovon me votim publik, përveç nëse Kuvendi nuk vendos ndryshe.

Neni 18

Kompetencat e Kuvendit janë:

­   Aprovimi i programit dhe të statutit të Partisë dhe ndryshimet e tyre.

­   Aprovimi i raportit të Këshillit Qendror për punën e Partisë.

­   Vendosja për ndryshimet në organizimin e Partisë.

­   Aprovimi i rregullores së punës për punën e vetë.

­   Vendosja për ndërprerjen e punës së Partisë.

­   Zgjedhë Këshillin qendror,Kryetarin dhe Nënkryetarët.

Neni 19

Në rast të mos aprovimit nga Kuvendi i FORCËS të raportit të Këshillit qendror, me automatizëm i pushon mandati Këshillit qendror, Kryetarit, Kryesisë dhe nënkryetarëve të partisë.

Pas pushimit të mandatit organeve dhe trupave të zgjedhur të partisë, për zgjedhjen e organeve dhe trupave të reja, kuvendi zgjedhor mbahet në afat prej 30 ditësh.

Propozimin për nismën e iniciativës për shprehjen e mosbesimit dhe shkarkimit të të Kryetarit të partisë mund ta bëjë Këshilli qendror ose një e treta ( 1/3 ) e antarëve të Kuvendit.

Iniciativën e arsyetuar nga paragrafi i 3 i këtijë neni e dorëzon Këshilli qendror, e për mos besim, gjegjësisht shkarkim vendos Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë antarëve të Kuvendit në afat prej 30 ditëve nga dita e dorëzimit të iniciativës.

Propozimin për shkarkimin e nënkryetarit të partisë mund ta dorëzojë Kryetari i partisë, Këshilli qendror apo një e treta ( 1/3 ) e antarëve të Kuvendit. Në bazë të propozimit të arsyetuar të Këshillit qendror, vendimin e merr Kuvendi me shumicën e të gjithë antarëve në afat prej 30 ditëve nga dita e dorëzimit të iniciativës.

KËSHILLI QËNDROR

Neni 20

Këshilli qendror është organ i partisë i cili në mes të dy kuvendeve përcakton politikën e Partisë në përputhje me vendimet e Kuvendit.

Këshilli Qendror është përgjegjës për realizimin e programit dhe të qëndrimeve politike të Partisë, si dhe për realizimin e vendimeve të Kuvendit.

Neni 21

Këshillin Qendror e përbëjnë:

­   Kryetari i partisë

­   Antarët që i zgjedh Kuvendi i Partisë ( 30 )

­   Deputetët në Parlament shtetëror

­   Kryetari i Klubit në Kuvendin komunal apo përfaqësuesi i këshilltarëve

­   Kryetarja e Forumit të gruas të FORCËS

­   Kryetari i Forumit Rinor të FORCËS

Anëtarët e kooptuar ( më së shumti 30 % prej numrit të cilin e zgjedh Kuvendi Partisë) për çka vendos Këshilli Qendror me votim të fshehtë, me propozimin e Kryetarit të Partisë;

Kryetari, gjegjësisht Nënkryetarët e Partisë janë sipas funksionit Kryetari i Këshillit Qendror, gjegjësisht Nënkryetarët e Këshillit Qendror.

Mandati i anëtarëve të Këshillit Qendror zgjat 4 vite, përveç nëse Kuvendi vendos ndryshe.

Neni 22

Anëtarët të cilët i zgjedh Kuvendi, zgjidhen në mënyrën të cilën e përcakton Këshilli Qendror.

Listën e përcakton Këshilli Qëndror në propozim të  Kryesisë.

Neni 23

Këshilli Qendror:

­   Thërret Kuvendin,

­   Zgjedh Nënkryetarët dhe vendos numrin e tyre

­   Vendos për vendin dhe kohën e mbajtjes së Kuvendit të rregullt,

­   Propozon rendin e ditës dhe rregulloren e punës së Kuvendit,

­   Përcakton numrin e saktë të kandidatëve për përbërjen e Këshillit Qendror,

­   Jep Kuvendit raportin e punës së Partisë për periudhën në mes të dy kuvendeve

­   Përcakton propozimin e Statutit të FORCËS, si dhe të ndryshimeve dhe të plotësimeve të tij,

­   Inicion procedurën për shkarkimin e Kryetarit dhe të Nënkryetarëve me propozim të një të tretës së anëtarëve,

­   Vendos për mospjesëmarrjen eventuale në zgjedhje në të gjitha nivelet,

­   Vendos për koalicionet eventuale në të gjitha nivelet,

­   Përcakton listën e kandidatëve për këshilltarë dhe deputetë,

­   Aktivizon dorëheqjet e deponuara të këshilltarëve dhe të deputetëve kur vjen deri te shkelja serioze e obligimeve të tyre si këshilltarë apo deputet,

­   Vendos për listën e propozuar zgjedhore në tërësi,

­   Vendos për pjesëmarrje në Qeveri si dhe në organet republikane dhe lokale,

­   Konfirmon vendimet e Kryesisë për zgjedhjen e kuadrove për organet e qeverisjes,

­   Aprovon programin zgjedhor të Partisë në të gjitha nivelet,

­   Aprovon raportin e Kryesisë,

­   Aprovon raportin e klubit të deputetëve apo të deputetit,

­   Aprovon raportin e klubit të këshilltarëve apo të këshilltarit/rëve,

­   Vendos për shpërbërjen e Këshillave organizativë,

­   Vendos për ankesat që kanë të bëjnë me vendimet për përjashtimin nga anëtarësia,

­   Aprovon rregulloren e punës së vetë.

­   Këshilli Qendror vendos për bashkëpunimin me organizatat dhe asociacionet ndërkombëtare dhe anëtarësimin eventual të FORCËS në to

­   Aprovon informatën gjegjësisht raportin e ministrit, e zëvendësministrit dhe zyrtarëve tjerë, të emëruar në funksione drejtuese.

­   Aprovon raportin e këshillave komunal

­   Aprovon raportin financiar të partisë

Neni 24

Këshilli Qendror vendos me kompetencë nëse në mbledhje marrin pjesë shumica nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit Qendror.

Votimi është publik, përveç në rastet e inicimit të shkarkimit të Kryetarit dhe të Nënkryetarëve. Këshilli Qendror vendos me shumicë votash të anëtarëve prezent. Këshillin Qendror e thërret Kryetari i Partisë ose një e treta e anëtarëve të Këshillit Qendror më së paku një herë në gjashtë muaj.

Neni 25

Në rastet kur anëtari i Këshillit Qendror në mënyrë të paarsyeshme nuk merr pjesë në tri mbledhje të njëpasnjëshme, i pushon mandati në Këshillin Qendror. Propozimin mbi pushimin e mandatit e merr Kryesia në propozim të Kryetarit të partisë. Në vendin e tij vjen anëtari tjetër në propozim të Kryetarit i verifikuar nga Këshilli qendror.

Kuvendi në mbledhjen e ardhshme verifikon zgjedhjen e kandidatit. Nëse Kuvendi nuk e vërteton zgjedhjen, kandidatit i pushon mandati në Këshillin qendror.

Neni 26

Kryetarin e zgjedh Kuvendi. Nënkryetarët,në propozim të Kryetarit, i zgjedh Këshilli Qëndror. Mandati i Kryetarit dhe i Nënkryetarëve zgjat katër vite.

Neni 27

Secili anëtar i FORCËS ka të drejtë të kandidojë për Kryetarin e Partisë. Kandidati për Kryetar është i obliguar të parashtrojë platformën programore të Partisë, numrin e Nënkryetarëve që zgjidhen dhe kandidatët për Nënkryetarë.

Kandidatura është e plotfuqishme nëse është e siguruar përkrahja e më së paku 10 përqind të anëtarëve të Partisë. Për Kryetar të Partisë zgjidhet kandidati i cili në raundin e parë të votimit fiton shumicën e votave të anëtarëve prezent. Në raste kur në zgjedhje merr pjesë një kandidat i cili nuk fiton shumicën e votave të anëtarëve prezent, procedura e zgjedhjes përsëritet me kandidatë të rijtë.

Në raste kur në zgjedhje marrin pjesë më shumë kandidatë dhe asnjeri prej tyre nuk fiton në raundin e parë të votimit shumicën e votave të anëtarëve prezent,atëherë votimi përsëritet në mes të dy kandidatëve të cilët kanë fituar numrin më të madh të votave, kurse zgjidhet ai i cili fiton më shumë vota në raundin e dytë. Me zgjedhjen e Kryetarit të Partisë njëkohësisht aprovohet edhe platforma e parashtruar programore e Partisë.

Në rastin kur dy kandidatë marrin numër të njëjtë të votave zgjedhjet ripërsëriten me të dy kandidatët deri në zgjedhje të kryetarit.

Neni 28

KRYETARI  FORCËS:

­   Përfaqëson Partinë në vend dhe jashtë vendit,

­   Udhëheq me organizatën partiake dhe harmonizon dhe vëzhgon funksionimin e  Partisë

­   Thërret dhe kryeson mbledhjet e Këshillit Qendror,

­   Thërret Kuvendin e Partisë,

­   Është përgjegjës për realizimin e vendimeve të Kuvendit dhe të Këshillit Qendror,

­   Mund ta ndalojë realizimin e vendimit të Kryesisë, deri në mbledhjen e parë të ardhshme të Këshillit Qendror, e cila duhej të mbahet në kësi rasti në afatin prej 15 ditësh.

­   I propozon Këshillit Qendror numrin e Nënkryetarëve dhe kandidatët.

­   Përcakton punët të cilët duhet t’i kryejnë Nënkryetarët.

­   Inicion para Kuvendit procedurën për shkarkimin e Nënkryetarëve.

­   Emëron zëdhënësin e Partisë.

­   Propozon listën e përhershme të kandidatëve për deputetë dhe këshilltarë.

­   Propozon listën zgjedhore me renditjen përfundimtare të kandidatëve për deputetë për secilat zgjedhje të shpallura.

­   Propozon vendimet për koalicionet eventuale.

­   Propozon programin zgjedhor të Partisë.

­   Emëron këshilltarët.

­   I jep raportin Këshillit Qendror dhe Kuvendit të Partisë.

­   Jep autorizime për përfaqësime në Gjyq apo në organet tjera.

­   Nënshkruan dokumentet financiare.

­   Aprovon hapjen e xhiro-llogarive dhe punimin e vulave.

KRYESIA

Neni 29

Kryesia është organi ekzekutiv politik i Partisë.

Kryesine e Partisë e përbëjnë :

Kryetari, Nënkryetarët, deputetët, ministrat, kryetari i Forumit rinor, kryetarja e Forumit të gruas, Kryetarët e këshillave komunale dhe kryetarët e klubeve të këshilltarëve. Kryesia me iniciativën e kryetarit të Partisë diskuton për çështjet që kanë të bëjnë me fushëveprimin e Kryetarit.

Në mungesë të Kryetarit të Partisë atë e zëvendëson Nënkryetari të cilin ai e autorizon.

Neni 30

Kryesia e Partisë udhëheq aktivitetet parazgjedhore të Partisë, propozon programin zgjedhor, përgatit mbledhjet dhe realizon vendimet e Këshillit Qendror.

Kryesia e Partisë përcjell punën e ministrive në nivel të Malit të Zi dhe punën e K.K. në nivelin e pushtetit lokal.

Kryesia është përgjegjëse Këshillit Qendror për qëndrimet partiake në nivelin republikan dhe atë lokal.

Neni 31

Kryesia e Partisë:

­   Përshtat dhe vëzhgon punën e organeve lokale të Partisë,

­   Vendos rregulloren e punës të këshillave vendore,

­   Organizon shtabet zgjedhore në të gjitha nivelet,

­   Vendos dhe realizon programin e fushatës zgjedhore,

­   Përcakton listat përfundimtare të kandidatëve nëpër komuna për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Qendror,

­   Vendos mbi organizimin dhe zgjerimin e Partisë si dhe për formimin e këshillave vendore,

­   Vendos për suspendimin e këshillave vendore,

­   Vendos përfaqësuesit nëpër komuna ku nuk është i formuar këshilli vendor,

­   Sipas nevoje thërret kuvendet e këshillave vendore,

­   Vendos për përjashtimin nga Partia,

­   Vendos për mosmarrëveshjet në mes të organeve të Partisë dhe të kryetarit,

­   Jep pëlqimin për programin dhe statutin e Forumit rinor, Forumit të gruas të Forcës,

­   Formon listat kuadrovike për organet komunale dhe republikane,

­   Nga listat kuadrovike kryen zgjedhjen e personave për organet e qeverisjes, të cilat i aprovon Këshilli Qendror,

­   Emëron sekretarin administrativ,

­   Aktivizon dorëheqjet e deponuara të këshilltarëve kur vjen deri te shkelja serioze

­   e obligimeve si këshilltar,

­   Themelon dhe shpërndan këshillat profesionale, nënkëshillat dhe komisionet,

­   Vendos për ankesat mbi shlyerjen nga evidenca,

­   Planifikon dhe organizon tubimet politike të Partisë,

­   Disponon me mjetet financiare dhe pronë të partisë dhe rregullisht e informon Këshillin Qendror mbi mënyrën e shpenzimeve të këtyre mjeteve,

­   Debaton për të gjitha çështjet e rëndësishme lidhur me punën e Partisë dhe jep mendime dhe propozime Këshillit Qendror,

­   Organizon sekretariatin e Partisë dhe shërbimet tjera rrespektive për kryerjen e punëve profesionale, administrative dhe financiare të Partisë,

­   Kryen punët vijuese në Parti,

­   Vendos rregulloren e punës së vetë.

Neni 32

Kryesia e Partisë vendos në mënyrë kualifikative nëse në mbledhje marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, kurse vendimet i bie me shumicë votash të anëtarëve prezent.

KËSHILLAT PROFESIONALE

Neni 33

Kryesia formon për lëmit e caktuara Këshillat profesionale nga ekspertë të caktuar. Puna e Këshillave profesionale rregullohet me rregullore pune të veçantë.

FORUMET E FORCËS

Neni 34

Në kuadër të FORCËS organizohet Forumi i gruas së Forcës, si organizatë e anëtareve të Partisë.

Forumi i gruas aprovon programin dhe statutin e vetë, i cili nuk mund të jetë në kolizion me programin dhe statutin e Partisë dhe i cili i nënshtrohet verifikimit nga ana e Kryesisë së Partisë.

Forumi i gruas së FORCËS i zgjedh të gjitha organet e veta.

Neni 35

Në kuadër të FORCËS organizohet Forumi rinor i Forcës- Forca rinore si organizatë e anëtarëve të rijtë të Partisë.

Forumi rinor aprovon programin dhe statutin e vetë, i cili nuk mund të jetë në kolizion me programin dhe statutin e Partisë dhe i cili i nënshtrohet verifikimit nga ana e Kryesisë së Partisë.

Forumi rinor i FORCËS i zgjedh të gjitha organet e veta.

KËSHILLAT KOMUNALE DHE VENDORE

Neni 36

Organizatën komunale e përbëjnë të gjithë anëtarët e Partisë në një komunë të caktuar.

Organi më i lartë i organizatës komunale është Kuvendi.

Kuvendin e organizatës e thërret kryetari i këshillit komunal, Këshilli komunal,1/3 e këshillave vendore, 1/3 e anëtarësisë së organizatës komunale, kurse në raste të veçanta Kryesia e partisë.

Mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të kuvendit komunal e përcakton këshilli komunal, e në raste të veçanta Kryesia e partisë.

Kuvendi i organizatës komunale vendos plotfuqishëm kur në mbledhje marrin pjesë shumica e anëtarëve të kuvendit komunal. Kuvendi vendos me shumicën e anëtarëve prezent. Votimi është publik,kurse kuvendi mund të vendosë që për disa çështje nga fushëveprimi i tij të votohet edhe në mënyrë të fshehtë.

Kuvendi i organizatës komunale:

­   Miraton planin e punës të organizatës komunale me propozim të këshillit komunal,

­   Zgjedh anëtarët e këshillit komunal me votim të fshehtë,

­   Aprovon raportin vjetor të punës dhe financiar të këshillit komunal.

 

Neni 37

Këshilli komunal udhëheq me punën e organizatës komunale në mes të dy kuvendeve.

Kuvendi komunal themelohet në komunën në të cilën ka më së paku 30 anëtarë të Partisë, përveç në rastet kur për shkak të kushteve lokale, Kryesia vendos që ky numër mund të jetë më i vogël.

Këshillin komunal e përbëjnë:

­   Më së paku 7 anëtarë të zgjedhur në kuvendin e organizatës,

­   Anëtarët e Këshillit Qendror nga kjo organizatë, përveç anëtarëve të Kryesisë,

­   Këshilltarët në Kuvendin komunal,

­   Kryetarët e këshillave vendore.

­   Kryetari/ja Forumit rinor të këshillit komunal të FORCËS,

­   Këshilli komunal zgjedh nga radhët e veta kryetarin dhe më së shumti dy nënkryetarë.

 

Këshilli komunal vendos me shumicë votash të anëtarëve prezent, nëse në mbledhje marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të këshillit.

Mbledhjen e këshillit komunal e thërret kryetari i këshillit ose 1/3 e anëtarëve të këshillit, së paku një herë në muaj.

Mandati i këshillit komunal zgjat zgjat 4 vite.

Neni 38

Këshilli komunal ka vulën e vetë.

Vula e këshillit komunal është në formë të rrumbullakët me shenjin e Partisë në mes në cepin e të cilit në mënyrë rrethore është i shkruar emri i Partisë dhe emri i këshillit komunal.

Në rastet kur anëtari i këshillit komunal në mënyrë të paarsyeshme nuk merr pjesë në tri mbledhje të njëpasnjëshme i pushon mandati në këshillin komunal. . Propozimin mbi pushimin e mandatit e merr Kryesia në propozim të Kryetarit të partisë apo të këshillit komunal. Në vendin e tij emërohet anëtari tjetër në propozim të Kryetarit të partisë i verifikuar nga Këshilli qendror.

Kuvendi në mbledhjen e ardhshme verifikon zgjedhjen e kandidatit. Nëse Kuvendi nuk e vërteton zgjedhjen, kandidatit i pushon mandati në Këshillin qendror.

Neni 39.

Këshilli komunal:

­   Punon në përhapjen e ideve dhe në popullarizimin e programit të Partisë.

­   Realizon qëndrimet e Partisë dhe jep përgjegjësi për realizimin e tyre.

­   Është i obliguar t’i kryejë të gjitha punët të cilat ia ngarkon Kryesia e Partisë.

­   Është i obliguar ta përhapë organizimin e Partisë në mbarë territorin e komunës.

­   Mund ta formojë kryesinë e vetë nëse këshilli komunal ka më së paku 15 anëtarë.

­   Përcakton fushëveprimin e punës së kryesisë komunale.

­   Organizon aktivitetet zgjedhore në fushatën zgjedhore dhe është përgjegjës për realizimin e tyre.

­   Merr pjesë në mënyrë aktive në zgjidhjen e të gjitha problemeve në nivelin lokal.

­   Udhëheq afarizmin financiar të këshillit.

­   Mbledh të gjitha informatat mbi situatën lokale dhe ia përcjell Kryesisë së partisë.

­   Propozon kandidatët për anëtarët e Këshillit Qendror.

­   I propozon Kryetarit të Partisë kandidatët për listën e përhershme të kandidatëve për deputet.

­   Themelon dhe shpërbën këshillat vendore për territorin e një vendi zgjedhorë ose emëron dhe shkarkon përfaqësuesit e Partisë nëse nuk është në mundësi që në territorin e vendit zgjedhorë të formojë këshillin vendor.

­   Aprovon raportin e klubit të këshilltarëve, gjegjësisht të përfaqësuesve të këshilltarëve.

­   Përcjell punën e këshilltarëve dhe për këtë rregullisht e informon Kryesinë e Partisë.

­   Zgjedh anëtarët për Kuvendin e FORCËS.

­   Propozon, Kryesisë së partisë, listën e kandidatëve për këshilltarë.

­   Propozon përfaqësuesit për qeverisjen lokale në të cilën merr pjesë Partia.

­   Kryen vizitat e rregullta në anëtarësi, së paku një herë në dy muaj.

 

Neni 40

Këshilli komunal konstituohet 6 muaj pas pjesëmarrjes së Partisë në zgjedhjet e para lokale apo republikane me kushtin që të fitohen tre vende këshilltarësh ose një vend deputeti. Deri te konstituimi i këshillit komunal të gjitha veprimet në bazë të këtij statuti do t’i kryejë Kryesia e Partisë dhe Këshilli Qendror në bazë të kompetencave të tyre.

Neni 41

Këshilli vendor i kryen punët të cilat ia ngarkon këshilli komunal. Këshilli vendor zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët e vet. Këshilli vendor për punën e vetë informon këshillin komunal. Deri te formimi i këshillit komunal, këshilli vendor është përgjegjës Kryesisë së Partisë dhe Këshillit Qendror. Kryetarët e këshillave vendore janë anëtarë të këshillit komunal.

KËSHILLI MBIKQYRËS

Neni 42

Këshilli mbikëqyrës themelohet për punët e kontrollit të hyrjeve dhe të daljeve financiare të Partisë.

Këshillin mbikëqyrës e përbëjnë tre anëtar të cilët i zgjedh Këshilli Qendror jashtë anëtarësisë së tij.

Këshilli mbikëqyrës është i obliguar të informojë për të gjitha parregullsitë parimore Këshillin Qendror, Kryesinë dhe Kryetarin e Partisë.

KËSHILLI STATUTOR

Neni 43

Këshilli statutor përgatit propozimet për ndryshimet dhe plotësimet në statut dhe në formën e dhënies së mendimeve e analizon statutin dhe statutshmërinë e akteve të përgjithshme të Partisë.

Këshillin statutor e zgjedh Këshilli Qendror. Këshilli statutor numëron 3 anëtarë.

Këshilli statutor në mbledhjen konstitutive e zgjedhë kryetarin e vetë.

Komisioni statutor i raporton Këshillit Qendror.

DEPUTETËT DHE KËSHILLTARËT

Neni 44

Deputetët janë anëtarët e zgjedhur të Partisë të cilët e përfaqësojnë Partinë dhe  angazhohen për qëndrimet e saja politike në Kuvendin shtetëror.

Neni 45

Listat zgjedhore i propozon Kryetari i Partisë nga lista e përhershme e kandidatëve për deputet të cilën e ka aprovuar Këshilli Qendror. Me rastin e emërimit të deputetit duhet medoemos të respektohet renditja në listën zgjedhore.

Neni 46

Lista e përhershme e kandidatëve për deputet renditet sipas rendit alfabetik. Lista e përhershme mund të ndryshohet në përputhje me interesat e Partisë,për çka e bie vendimin Këshilli Qendror. Lista e përhershme formohet ashtu që këshillat komunalë i propozojnë kandidatët Kryetarit të Partisë, i cili i shqyrton këto propozime dhe e ofron listën e përhershme Këshillit Qendror për aprovim.

Neni 47

Për propozimin dhe zgjedhjen e kandidatëve për deputet duhet të merren parasysh si më poshtë:

­   Puna në Parti dhe kontributi i dhënë.

­   Aftësitë organizative dhe politike.

­   Kredibiliteti moral.

­   Autoriteti që kandidati  ka në mjedisin ku jeton.

­   Autoriteti që kandidati i ka në qarqet profesionale.

Neni 48

Kandidatët për deputet nga lista e përhershme janë të obliguar që:

–          Të marrin pjesë në mënyrë aktive në punën e Partisë.

–          Të punojnë pareshtur në përhapjen e ideve të Partisë dhe organizimit të sajë në terren.

–          Të realizojnë në praktikë vendimet e Partisë.

–          Me autoritetin dhe me punën e tyre të përfitojnë simpatizues të rijë të Partisë.

–          Të popullarizojnë idetë e Partisë përmes medieve.

 

 

Neni 49

Deputetët e japin raportin vjetor të punës Këshillit Qendror.

Deputetët janë të obliguar që menjëherë pas zgjedhjeve të deponojnë dorëheqjet e veta të parevokueshme me shkrim në Parti. Dorëheqjet e deponuara aktivizohen nga Këshilli Qendror në rastet e shkeljeve serioze të obligimeve si deputet.

Neni 50

Këshilltarët janë anëtarë të zgjedhur të Partisë, të cilët e përfaqësojnë Partinë dhe angazhohen  për qëndrimet e saja politike në kuvendet Komunale.

Klubet e këshilltarëve, gjegjësisht përfaqësuesit e këshilltarëve japin raporte gjashtëmujore për punën e tyre këshillit komunal dhe Këshillit Qendror.

Me rastin e kandidimit, këshilltarët janë të obliguar të deponojnë dorëheqjet në Parti.

Dorëheqjet aktivizohen nga Kryesia.

ADMINISTRATA E PARTISË

Neni 51

Punët administrativo–teknike në Parti i kryen sekretari administrativë i partisë.

Sekretarin administrativë e zgjedh kryesia e Partisë.

Sekretari administrativë për punën e vetë është përgjegjës Kryesisë së Partisë. Sekretari teknik nuk mund të ketë asnjë funksion politik në Parti.

Përveç sekretarit administrativë, Kryesia e Partisë mund të angazhojë edhe punëtorë të tjerë administrativ, në varësi nga vëllimi i punëve dhe gjendja në buxhetin e Partisë.

Këshilli komunal mund të ketë koordinator për punët administrativo teknike. Për mënyrën e përzgjedhjes dhe raportimit të kordinatorit të këshillit komunal vendos Kryesia e partisë.

TË ARDHURAT E PARTISË

Neni 52

Të ardhurat e FORCËS janë:

–          Të ardhurat në bazë të ligjit për financimin e partive politike.

–          Kontributet e deputetëve dhe i të gjithë anëtarëve të FORCËS të cilët janë të emëruar në funksione të paguara në organet përfaqësuese, në përputhje me vendimet e Kryesisë së Partisë.

–          Kontributet e anëtarëve dhe të simpatizuesve të Partisë.

–          Burimet tjera ligjore.

–          Për përdorimin e mjeteve  dhe mënyrën e shfrytëzimit të tyre vendos Kryesia e Partisë.

 

 

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 53

Me propozim të Kryetarit të Partisë ose  Këshillit Qendror, Par tija ndërpret  veprimtarinë e vet me vendim të Kuvendit. Me rastin e ndërprerjes së veprimtarisë  të FORCËS, krejt pasuria e Partisë kalon në pronësi të organizatave joqeveritare.

Neni 54

Ky statut ndryshohet me procedurë të njëjtë si në rastin e aprovimit të tij.

Propozimin për ndryshim të statutit, gjegjësisht për aprovimin e statutit të ri mund ta bëjë:

–          Kryetari i Partisë.

–          1/3 e anëtarëve të Kuvendit.

–          Këshilli Qendror.

Neni 54

Ky statut hynë në fuqi me aprovimin në mbledhjen e Kuvendit të Partisë 5 mars 2011 në Ulqin.

Në Ulqin me 12 mars 2011.

 

 

LAJME

New Courses

Contact Info

Bulevardi Skenderbeu bb 85360 Ulqin Malli i Zi

Phone: +382 (0)30 401 760

Fax: +382 (0)30 401 760

Web: FORCA

Go to Top