Kthimi i pronave mbetet një ndër çështjet me më shumë rëndësi dhe ndër prioritetet e FORCËS. Gjatë procesit të deritanishëm të kthimit të pronave në Mal të Zi janë marrë vendime politike që i kanë dëmtuar shqiptarët. Ky proces ka aplikuar standarde të dyfishta duke diskriminuar pakicën shqiptare dhe për këtë arsye FORCA do të vazhdojë të luftojë me mjete ligjore qoftë në nivelin vendor dhe qoftë në nivelin ndërkombëtar për të eliminuar diskriminim që u bëhet shqiptarëve lidhur me pronat dhe për të mundësuar realizimin e të drejtës së shqiptarëve në Mal të Zi për kthimin e pronave.
Probleme të pronës private të shqiptarëve hasen edhe me pronarët legjitimë në Shtoj, Bukmirë në Anë të Malit, në Shipçanik të Tuzit, shfrytëzimi i pronave të shqiptarëve në Parkun Nacional të Bjeshkëve të Nemuna si dhe të pronave private në brezin e Të Mirave Detare, të gjitha këto duhet realizuar duke marrë parasysh interesat e pronarëve.
FORCA është e angazhuar për të përdorur të gjitha mundësitë ligjore brenda Malit të Zi për të mundësuar zgjidhjen e këtyre problemeve. Ajo do të përpiqet në nivel lokal dhe qendror që pronat e ish pronarëve, pa dallim përkatësie, të kthehen dhe po ashtu do t’u drejtohet gjykatave vendore ose të huaja për të realizuar këtë qëllim.
FORCA do të kërkojë mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të vendeve mike për këtë çështje, si dhe do të përpiqet të sigurojë bashkëpunim me organizatat të ndryshme ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, Komisioni i Helsinkit apo Unioni Ndërkombëtar i Pronës së Patundshme (Union Internationale de la Propriete Immobiliere) për të lobuar në zgjidhjen e çështjes së kthimit të pronave. Gjithashtu do të bashkëpunojë edhe me organizata dhe institucione brenda Malit të Zi të cilat e kanë për qëllim kthimin e pronave.
Bashkohu Anetarëve të Forcës në rrugën e drejt
Bëhu Anëtar i Forcës së Re demokratike