FORCA do të bëjë përgatitjet për realizimin e ndryshimeve të Turizmit për Ulqinin dhe ndërtimin e komplekseve të hoteleve të kategorisë së lartë. Përgatitjet do të përfshijnë nxjerrjen e vendimeve për studime të lokacionit, ndërtimin e infrastrukturës komunale, përgatitjen e projekteve dhe përkrahjen e realizimit të tyre.
Gjatë dy viteve të fundit është bërë një numër i madh i përgatitjeve dhe aktiviteteve, veçanërisht në planifikimin dhe realizimin e infrastrukturës, të cilat paraqesin bazën mbi të cilën do të vazhdojë zhvillimi i hovshëm i turizmit të nivelit të lartë.
FORCA do të përpiqet të bëjë përmirësimin e akomodimit individual duke përfshirë në mënyrë sa më profesionale kapacitetet dhe traditën e krijuar gjatë shumë viteve prej qytetarëve tanë në ofertën turistike të Komunës së Ulqinit. Me vazhdimin e qeverisjes lokale FORCA do të vërë në jetë një strategji të posaçme të hartuar vetëm për këtë qëllim. Pjesë e kësaj strategjie janë:
- Planifikimi i zhvillimit të turizmit shëndetësor në Komunën e Ulqinit duke nxitur ndërtimin e qendrave kurative që ofrojnë shërbime terapeutike ose rehabilituese për të moshuar, pushues të sëmurë ose sportistë;
- Promovimi sa më profesional i turizmit të Komunës së Ulqinit duke angazhuar kompanitë më cilësore të marketingut për të bërë një promovim dinjitoz ndërkombëtar të turizmit;
- Nxitja e turizmit sportiv duke bërë që komuna të merret seriozisht me promovimin e sporteve ujore për ta bërë më interesant qëndrimin e turistëve në Ulqin si dhe për të tërhequr të apasionuarit e këtyre sporteve që të vijnë e t’i ushtrojnë në Ulqin gjatë dhe jashtë sezonit turistik. Të tilla sporte që do meritojnë vëmendje janë zhytja, noti, surfing, uindsurfing, kitesurfing, lundrim me vela, vozitja e kanoeve, kajakëve, etj;
- Stimulimi i krijimit të një shkolle që të trajnojë të interesuar nga Mali i Zi dhe nga jashtë vendit për të ushtruar këto sporte dhe për ta shndërruar Ulqinin në një qendër të sporteve të lartpërmendura. Kjo shkollë të shërbejë edhe si selia e një muzeu të detarisë dhe anije-ndërtimtarisë së Ulqinit;
- Zhvillimi i agro-turizmit duke huazuar nga përvojat më të mira ndërkombëtare, në zonat piktoreske të Komunës së Ulqinit (si psh. buzë Bunës e në Shas, Millë, Bojk...) për ta bërë sa më të larmishme dhe të gjatë ofertën turistike të Komunës së Ulqinit;
- Nxitja e sporteve në natyrë që synojnë të mundësojnë tërheqjen e turistëve të rinj edhe jashtë sezonit të verës. Këto sporte ose aktivitete në natyrë mund të jenë gjuetia, peshkimi, ngarja e makinave 4X4, harqet, hiking, paragliding, treking, mountainbiking, alpinizmi dhe birdwatching – soditja e shpezëve;
- Nxitja e rezervateve të gjuetisë në komunën e Ulqinit si dhe të fermave që merren me mbarështimin e kafshëve të egra për të tërhequr sa më shumë turistë gjuetarë gjatë sezonit dimëror si dhe për të pasuruar ofertën ushqimore të restoranteve dhe hoteleve të Ulqinit gjatë verës;
- Mundësimi i rihapjes së ambienteve të ndryshme për turistët që kërkojnë aventurë ose eksplorim - hapja e kampeve;
- Studimi dhe aplikimi i mundësive për turizëm elitar si dhe përkrahja e sporteve elitare si kalërimi, golfi, tenisi, harqet apo lundrimi;
- Promovimi i turizmit kulturor duke meremetuar monumentet, bërë gërmime arkeologjike të reja, shtuar aktivitetet folklorike, nxitur prodhimet e artizanatit dhe eksplorimet etnografike. Të realizohet projekti “Kalaja - Ulqin, Kalaja - Shas vende që do t’i vizitojë çdo turist” me dhënie të prioritetit realizimit të aktiviteteve kulturore, hapja e dyqaneve të prodhimeve artizanale, përmirësimi i akomodimit individual, zhvillimi i eventeve të ndryshme çdo ditë gjatë sezonit, përmbajtje zbavitëse dhe përmbajtje të tjera të ndryshme të cilat do të ishin në dispozicion të qytetarëve dhe turistëve gjatë tërë vitit;
- Shndërrimin e Ulqinit në një qendër ndërkombëtare konferencash duke ofruar ambiente për aktivitete të tilla me çmime tërheqëse në mënyrë që të tërhiqen vizitorë edhe jashtë sezonit dhe që të arrihet një reputacion ndërkombëtar;
- Identifikimi dhe bërja e atyre investimeve infrastrukturore që kanë për qëllim shtimin e numrit të turistëve. E tillë mund të konsiderohet realizimi i rrugës që lidh Shtojin në Mal të Zi me Shtojin e Shqipërisë që të integrohet turizmi i bregdetit të këtyre dy shteteve;
- Synimi i FORCËS do të jetë hapja e vijave lundruese Ulqin- Velipojë- Shën Gjin-Durrës, Ulqin – Shkodër përmes Bunës, Ulqin – Boka e Kotorrit dhe Ulqin – Dubrovnik;
- Në bashkëpunim me kompanitë hotelierike FORCA do të sigurojë bursa dhe programe të trajnimit për të siguruar cilësinë e burimeve njerëzore të Komunës duke rritur sa më shumë cilësinë e shërbimeve hotelierie dhe gastronomike.