Zbatimi i programit tonë ekonomik do të mundësojë një zhvillim intensiv në Komunën e Ulqinit dhe do të mundësojë hapjen e vendeve të shumta të punës në sektorin real ekonomik, duke e zvogluar papunësinë dhe varfërinë që mbizotëron në komunën tonë.
FORCA ka parashikuar që plani i saj i veprimit në fushën e Turizmit do ta lulëzojë këtë sektor duke hapur vende të reja pune në hoteleri, restorante, bare e shërbime të tjera turistike në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
FORCA e ka përcaktuar bujqësinë si shtyllën e dytë të ekonomisë së Komunës dhe do të përqendrojë një pjesë të mirë të energjisë, vëmendjes dhe buxhetit drejt këtij sektori duke garantuar vende të reja të pune edhe në këtë degë të ekonomisë.
FORCA është e vetëdijshme për potencialin që ka komuna jonë për të zhvilluar sektorë të tjerë të ekonomisë si industrinë e lehtë dhe sektorin e shërbimit dhe është e bindur që në këta sektorë të ekonomisë do të punësohen kryesisht të rinj të kualifikuar.
FORCA do të përpiqet të rrisë pjesëmarrjen e kuadrove shqiptare në administratën publike që varet prej pushtetit qendror. Nëpërmjet autoritetit të Komunës dhe të deputetit, FORCA do të bëjë presion në Podgoricë që sa më shumë shqiptarë të kualifikuar të mund të punësohen në institucione të ndryshme publike, si në nivel ministrie, ashtu edhe në nivel lokal, dukë bërë që sa më shumë kuadro të diplomuara shqiptare të gjejnë mundësi punësimi si zyrtarë në sektorë të ndryshëm si arsimi, policia, shëndetësia, gjyqësori, prokuroria etj.