Blog

04 02 2018
0

Denoncim: Blerje e votave me lëndë ndërtimore.

Sot në mëngjes aktivistët tonë kanë vënë re në Ulqin disa kamiona me shtylla dhe materiale të tjera ndërtimore me targa të komunave të tjera të largëta nga Ulqini. Ky kuptohet është një aktivitet pazakontë dhe i dyshimtë për një ditë të dielë dhe mund të shpjegohet vetëm me përpjekjet për të siguruar vota duke korruptuar votuesit me materiale ndërtimore.  Edhe në zgjedhjet e kaluar ne kemi zbuluar e denoncuar raste flagrante të blerjes së votës me materiale ndërtimore.

Pas lajmërimit të ardhur prej aktivistëve, Kryetari i Forcës së Re Demokratike, z. Nazif Cungu ka shkuar personalisht dhe ka kontaktuar me personat që po i sillnin këto materiale ndërtimore. Nga biseda me ta del se këto materiale janë sjellë  nga një kompani e Danilovgradit, për të bërë ndërhyrje infrastrukturore të pa-planifikuara më parë dhe që nuk kanë ndonjë leje ndërtimi të marrë ne Komunën e Ulqinit. Shoferi i njërit prej kamionëve, tregon se sot ka ardhur për herë të parë dhe se janë sjellë dhjetëra shtylla elektrike që po shpërndahen në Braticë dhe Shtoj gjatë ditës së sotshme. Duket qartazi se bëhet fjalë për investime infrastrukturore që bëhen për të siguruar vota.

Këto fakte të mbledhura ne do ia paraqesim institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe komisionit zgjedhor me shpresën se ato do të hetohen dhe ndëshkohen. Është e nevojshme që të ndërpritet njëherë e mirë praktikat e blerjes së votave në mënyrë që Komuna e Ulqinit të arrij më në fund zgjedhje të rregullta të standardeve evropiane. Ne besojmë se është e papranueshme që për një vend si Mali i Zi, anëtar I NATO-s dhe kandidat për t’u bërë anëtar në Bashkimin Evropian, të bëhen kësilloj manipulimesh primitive elektorale në mes të ditës.

Ne kemi një ekip tonin juristësh që do i mbledhë dhe përpunoj këto informacione që po na vijnë për parregullsi . Ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me vëzhguesit që kanë ardhur në Ulqin dhe do ta ndjekim hap pas hapi me vëmendje të gjithë procesin zgjedhor për të identifikuar dhe denoncuar çdo parregullsi.  Edhe nëse organet shtetërore nuk veprojnë pas këtyre denoncimeve, ne do të ngremë vetë padi ndaj atyre që ne identifikojmë se janë të përfshirë në procese të manipulimit elektoral.

I kujtojmë bashkëqytetarëve tanë se për veprime të tilla përgjegjësi penale mbajnë jo vetëm ata që blejnë votat por edhe ata që i shesin ato në këmbim të materialeve ndërtimore. Po ashtu do informojmë për to edhe përfaqësitë diplomatike të pranishme në Mal të Zi si dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe vendase për këto parregullsi të procesit zgjedhor. Me këtë rast i bëjmë edhe njëherë thirrje popullsisë së Ulqinit që të mos  bjerë pre e mashtrimeve e të mos ta shesi të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve tyre për një shtyllë elektrike apo thes me çimento.

Më shumë info
04 02 2018
0

Denoncim: Vandalizëm i aktivistë të Partisë Demokratike.

Gjatë natës,  në errësirë, sikurse edhe veprojnë zakonisht njerëzit e jashtligjshëm, aktivistë të Partisë Demokratike janë parë duke vandalizuar billboard-at e Forcës së Re Demokratike. Diku rreth orës 3 të mëngjesit ata filmuar  duke lyer billboard-in e FORCËS të vendosur pranë restaurant Palma në qendër të qytetit. Ky është rast i përsëritur sepse të njëjtën gjë Hajdinaga dhe njerëzit e tij kanë bërë edhe në zgjedhjet e kaluara me një billboard të ngjashëm që kemi vendosur në Komunën e Ulqinit.

Bëhet fjalë për një billboard me pamje të rrënimit të hotel Galebit të cilin ne e kemi vendosur aty si simbolikë të rrënimit që i ka shkaktuar mbarë Ulqinit Hajdinaga gjatë kohës që ka qenë kryetar i Komunës së Ulqinit.  Po ashtu sikurse Galebi që ka qenë hoteli më i mirë dhe i bukur në Ulqin është rrënuar, po ashtu edhe Hajdinaga e ka rrënuar komunën, buxhetin e saj, ndërmarrjet e saj publike.  Ne nuk habitemi për reagimin e z. Hajdinaga dhe njerëzve të tij pasi gjithë Ulqini e mban mend me dhimbje shkatërrimin e Galebit dhe e konsideron Hajdinagën si personin përgjegjës për atë ngjarje. Kujtojmë që në fillimit të nëntorit 2017 z. Hajdinaga është vënë nën hetim nga organet shtetërore lidhur me rrënimin e hotelit Galeb, perlës së bregdetit tonë.

Po ashtu aktivistës e Partisë Demokratike  nuk janë mjaftuar vetëm me dëmtimin e billboard-it të rrënimit të Hotel Galebit, por edhe kanë vandalizuar të tjerë billboard-a  të FORCËS duke lyer 8 numrin 5. Kjo është një shkelje e rëndë ligjore që cënon procesin zgjedhor dhe frymën e garës së lirë e të ndershme elektorale në zgjedhjet për Komunën e Ulqinit. FORCA i ka dorëzuar provat në polici e prokurori duke pritur që shkaktarët e këtij vandalizmi të vihen para ndëshkimit ligjor. Po ashtu për këtë gjë kemi informuar diplomatët dhe përfaqësuesit e organizatave të ndryshme që janë duke monitoruar procesin zgjedhor në Komunën e Ulqinit. Me këtë rast i themi z. Hajdinaga se këto akte të dëshpëruara banale të bëra në ngarkesë emocionale kur po i afron dështimi i radhës, as nuk na frikësojnë e as nuk na ndalojnë neve që të themi të vërtetën për sa i përket shkatërrimit që ai I ka shkaktuar Ulqinit.

Shërbimi për Informim i Forcës

Më shumë info
02 02 2018
0

Rinia, gratë dhe të moshuarit, prioriteti ynë.

Në drejtim të Komunës së Ulqinit forca do të kushtojë vëmendje të veçantë për mbrojtjen e rinisë, grave dhe të moshuarve si kategori sociale të margjinalizuara. Motoja e FORCËS është Ta mbrojmë të ardhmen e prandaj një ndër synimet kryesore është mbrojtja e rinisë, të ardhmes sonë nga droga, dhuna, alkoolizmi dhe bixhozi. Ky pikësynim do të arrihet me formimin e infrastrukturës për rekreacion e sport, me nxitjen e hapjes së qendrave rinore dhe mbështetjen e iniciativave rinore.

FORCA do angazhohet në promovimin e aktiviteteve si ditët e hapura të institucioneve për të rinjtë, apo takime periodike të drejtuesve të institucioneve lokalë me të rinjtë për të ndihmuar në angazhimin dhe njohjen e të rinjve me qeverisjen dhe vendimmarrjen lokale në Komunën e Ulqinit.  Po ashtu FORCA do ta përfshijë rininë në të gjitha bordet vendimmarrëse në nivel qendror e lokal, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënies ndaj të rinjve, ndërgjegjësimi dhe edukimi i të rinjve mbi përfaqësimin dhe participimin politik .Biznesi rinor dhe vetëpunësimi nëpërmjet hapjes së njësive të informacionit që informojnë të rinjtë mbi taksat, legjislacionin për të bërë biznes dhe mundësitë e investimit në ekonomi; duke i njoftuar ata edhe për kreditë e buta.

Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë ne Komunën e Ulqinit, trajtimi i problemeve qe mbart kjo kategori sociale, merr një rëndësi të madhe. Prioritet i FORCËS për vitet ne vazhdim do te jete nxitja e programeve te kualifikimit profesional, ne ato profesione qe i përshtaten profilit të një komune turistike dhe që iu jep mundësi grave të përfshihen në tregun e punës. Për këtë gjë do të bashkëpunojmë me shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit. Vëmendje e veçantë për FORCËN do të marrë projekti  i çerdheve për fëmijët, në mënyrë që gratë të kenë mundësi të bëjnë një jetë aktive shoqërore, ekonomike apo politike pa u shqetësuar për kujdesin për fëmijët. Në këtë mënyrë duke pasur çerdhet që përkujdesen për fëmijët, gratë në Ulqin do të jenë më të lira për të pasur një karrierë personale , për të vijuar studimet, për t’u punësuar apo për të hapur një biznes.

Të moshuarit janë një tjetër kategori sociale që do të gëzojë një përkujdesje të veçantë nga FORCA duke përdorur moton “Pleqëri Pa Vetmi.  Të moshuarit në Ulqin shpesh e margjinalizuar për shkak të kushteve ekonomike dhe problemeve të tjera sociale prandaj FORCA ka për qëllim që të kujdeset në mënyrë të posaçme për ta.  Në kuadër të investimeve do të synohet krijimi i ambienteve të gjelbëruara me stola e tavolina për lojëra të ndryshme që do të shërbejnë si mjedise shlodhëse për të moshuarit. Do të ndjekim politika fiskale të diferencuara për ato biznese që ofrojnë shërbime të veçanta për të moshuarit si për shembull ata që ofrojnë kafe falas për të moshuarit.

Brenda mandati të ardhshëm, FORCA në krye të komunës së Ulqinit do të ndërtojë një qendër ditore për të moshuarit ku  të gjejnë  një ambient të rehatshëm e zbavitës e të mund të marrin shërbime shëndetësore e sociale. Në bashkëpunim me drejtorit e shkollave, shoqatave joqeveritare dhe grupe të të rinjve do të organizojmë grupet e vullnetarëve që do të ofrojnë shërbime utilitare për pleqtë e braktisur apo të sëmurë

.

Më shumë info
28 01 2018
0

Mos ndëgjioni turistët dimërorërë që ju mashtrojnë për vota.

Reagim në deklaratën e të punësuarve të Socialdemokratëve në Ulqinit.

Sot morëm reagimin e të punësuarve ulqinakë në partinë Socialdemokrate, e cila e ka qendrën në Podgoricë, lidhur me deklaratën tonë të djeshme dhe i falënderojmë ata për konfirmimin e asaj që ne thamë. Pra, në deklaratën e tyre ata nuk e mohuan faktin që në kohën kur lideri i tyre kryesonte Ministrinë e Transportit dhe Detarisë, tenderat e rrugës Ulqin-Krythë binin, që do të thotë se e konfirmuan heshtur deklaratën tonë. Po ashtu kjo deklaratë e SD nuk ka thënë asgjë për të përgënjeshtruar faktin që Llazoviqi ka qenë në krye të procesit të privatizimit të Valdanosit, pronës që i është marrë padrejtësisht banorëve të Ulqinit. Kjo deklaratë nuk ka përgënjeshtruar as përgjegjësinë e Shehoviqit për gjendjen e arsimit shqiptar dhe as përgjegjësinë e zyrtarëve të SD-së për abuzimet e Morsko Dobros. E kuptueshme, e vërteta që ne deklaruam nuk mund të mohohet.

E kuptueshme edhe sepse e dimë që të punësuarit në Ulqin të SD-së së Podgoricës, nuk kanë ndjeshmëri për gjendjen apo kërkesat e popullit shqiptar në Komunën e Ulqinit e as në viset e tjera shqiptare të Malit të Zi.

Po ashtu u zbavitëm me situatën komike të krijuar prej shkruesit të kësaj deklarate, të cilët marrin përsipër rolin e fallxhiut e të parashikojnë të ardhmen e votave në komunën tonë, ndërkohë që e kanë të vështirë ta njohin situatën në Ulqin pasi vijnë këtu vetëm për zgjedhje. Po ashtu ishte interesant pasioni për marrjen e meritës për liderin e partisë së tyre për pikën kufitare të Sukobinës kur dihet që pikat kufitare vendosen me marrëveshje ndërkombëtare të negociuar nga ministritë e jashtme. Prandaj edhe kjo pikë kufitare u përurua në shkurt të vitit 2002 nga ish-ministrja e jashtme e Shqipërisë, Arta Dade dhe ish-zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dragan Gjuroviq. Shtatë vjetë më vonë, në qershor të vitit 2009 shiritin e pikës së përbashkët kufitare Sukobinë-Muriqan e prenë personalisht kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe homologu i tij Gjukanoviq.

Po ashtu i falënderojmë ata që me deklaratën e tyre vetëm sa e konfirmuan para votuesit shqiptar se përse duhet të votojnë për parti shqiptare e jo për një parti të Podgoricës që për shqiptarët kujtohet vetëm ditën e votimeve për me ua marrë votën me mashtrime.

Për sa i përket ndikimit të FORCËS në qeverisjen qendrore dhe projektet shtetërore nuk kemi nevojë të flasim ne por të flasin numrat në parlament. Populli shqiptar është boll i mençur që të bëj llogaritë vetë e nuk pranon që të vijnë nga Podgorica e ti trajtojnë si dele.

Është e qartë që po mos të ishte konjuktura aktuale politike, ku mazhoranca qeveris me një shumicë të brishte prej 42 deputetësh nga 81 që ka parlamenti, komuna e Tuzit, Plani Hapësinor i Komunës së Ulqint dhe investimet infrastrukturore në komunën tonë nuk do të bëheshin realitet. SD ka qenë 20 vjetë në pushtet, më parë si pjesë e SDP, dhe kurrë nuk i ka shkuar ndonjëherë në mendje që të merret me problemet e shqiptarëve. Kur këtë gjë nuk e ka bërë për 20 vitet e kaluara, jemi të sigurtë që as tani e as pas 20 vitesh në të ardhmen nuk ka për ta bërë këtë gjë.

Me këtë rast ne theksojmë se FORCA e ka qendrën e saj në Ulqin ndryshe nga partitë e tjera jo nacionale që janë të pranishme në garën e 4 shkurtit të cilat e kanë selinë në Podgoricë. Drejtuesit e FORCËS jetojnë në Ulqin, me familjet dhe fëmijët e tyre dhe janë në kontakt të përditshëm me qytetarët e tjerë të komunës. Për bartësit e listave të partive jo-nacionale që jetojnë në Podgoricë, votat e Ulqinit janë statistika kurse për ne të FORCËS çfarëdo ndodh në komunën e Ulqinit ndikon drejtpërdrejtë në jetën tonë të përditshme, sepse edhe në jetojmë këtu me hallet dhe problemet e qytetarëve të tjerë. Prandaj i bëjmë thirrje që mos t’iu vënë veshin turistave dimërorë që vijnë nga Podgorica në Ulqin vetëm për zgjedhje.

Po ashtu i porosisim Socialdemokratëve që nuk duhet të shqetësohen sepse Forca dhe Nazif Cungu do të udhëheqin Ulqinin dhe në 4 vitet e ardhshme dhe ato do të jene të mirëpritur si vizitor kurdoherë.

Forca e Re Demokratike

Më shumë info
28 01 2018
0

Mos ndigjoni Politikanë nga Podgorica që vinë nj

Ditëve të fundit në Komunën e Ulqinit janë shfaqur intensivisht për të marrë vota figura qendrore të socialdemokratëve (SD) ndërkohë që për vite me radhë e kanë neglizhuar komunën tonë.

Nëpërmjet kësaj komunikate ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar të Komunës së Ulqinit që të  mos gënjehen nga premtime të rreme e të pasinqerta dhe i kujtojmë se këta politikanë janë drejtpërdrejte përgjegjës për prapambetjen tonë.

Së pari nuk ka të drejtë të flasë para qytetarëve të Komunës së Ulqinit, Ivan Brajoviq, kryetari i SD i cili ka qenë ministër i transportit dhe ka bllokuar për shumë vite me radhë ndërtimin e rrugës Ulqin-Krythë. Për rrugën që është vitale për Ulqinin e që vetëm FORCA pati mundësi ta zhbllokonte.

Po ashtu me çfarë të drejte kërkon votën e ulqinakëve Vujica Llazoviq, i cili ka qenë kryetari i këshillit të privatizimit dhe personi kryesor në përpjekjen për shitjen ndaj CubusLux të Valdanosit, pra të pronës që i takon qytetarëve tanë . Për vite me radhë ne jemi përpjekur e ia kemi dalë ta bllokojmë këtë proces të drejtuar dikur prej Llazoviqit.
Po ashtu, para pak ditësh është parë edhe ministri SD-së Damir Shehoviq që mashtronte banorët e komunës sonë duke premtuar vende pune në këmbim të votave. Bëhet fjalë për atë ministër arsimi që injoron gjendjen e keqe të arsimit shqip i cili ofendon rëndë banorët e Anës së Malit duke emëruar si drejtor shkolle nga partia e tij dikë që është kuadro i dobët. Është fyerje për këtë krahinë patriotike me traditë të hershëm në shkollimin shqip që ka nxjerrë gjithmonë gjenerata të tëra arsimtarësh të shkëlqyer.

Për mos të folur pastaj për Morsko Dobron që për vite me radhë është drejtuar nga funksionarët e sotshëm të SD gjatë kohës që ishin pjesë e SDP-së. Nën drejtimin e tyre nga Të Mira Detare kjo kompani ishte shndërruar në Të Mira Kontinentale sepse përfshinte tokë në thellësi të komunës. Po ashtu por për vite me radhë nuk ka pasur investime serioze në bregdetin e Ulqinit. Ishte FORCA faktori kryesor për zvogëlimin e hapësirës tokësore të kësaj kompanie dhe bëri të mundur që gjysmat e të ardhurrave të hyjnë në buxhetin e Komunës së Ulqinit në të mirë të qytetarëve.

Prandaj iu kujtojmë qytetarëve të komunës së Ulqinit se e kaluara e këtyre politikanëve dëshmon se ata nuk ia duan të mirën komunës së Ulqinit dhe banorëve të saj. Iu kujtojmë se ndryshe nga ne të FORCËS që jetojmë bashkë me ta dita ditës në Ulqin, këta politikanë të Podgoricës vijnë këtu vetëm për vota e nuk kanë për t’u shfaqur më në Ulqin deri në zgjedhjet e ardhshme.

Shërbimi për informim i Forcës

Më shumë info
15 01 2018
0

Vizitë punimeve në Mhallë të Re.

Sot vizituam ekipin i cili në mënyrë të palodhur po punon në përfundimin e këtij projekti të bukur. Mëhalla e Re është një prej lagjeve më të vjetra në Komunën e Ulqinit. Për të ringjallur këtë pjesë të veçant të qytetit inicuam projektin i cili përfshin trotuaret, ndriçimin modern LED, mbjelljen e gjelbërimit (bimëve dekorative).

Më shumë info
07 01 2018
0

Takim me afaristët që veprojnë në fushën e turizmit

Sot zhvilluam një takim shumë të frytshëm dhe konstruktiv me afaristët që veprojnë në fushën e turizmit.

Me ta diskutuam për tendencat e zhvillimit të turizmit, nevojat e tyre dhe sfidat që duhen përballur për të pasur një sezon të suksesshëm turistik. Gjatë takimit theksuam se Komuna e Ulqinit do të vazhdojë të jetë një partnere e tyre që do iu gjendet pranë me ndihmë kurdoherë që të kenë nevojë.

Ne jemi të bindur se duke u angazhuar të gjithë së bashku , sezoni i ardhshëm turistik ka për të qenë më i suksesshëm dhe i begatë për të gjithë ne.

Më shumë info
07 01 2018
0

Komuna e Ulqinit ka shkurtuar ndjeshëm shpenzimet e reprezentacionit

Ju shpesh keni dëgjuar nga Kryetari i Forca-së shprehjen konsolidim të buxhetit të komunës e cila ishte katandisur në gjendje katastrofale me borxhe të shumta dhe pamundësi për të paguar qindra rroga.

Për ta konsoliduar buxhetin një ndër veprimet e para që ka bërë kryetari në këto dy vite qeverisje të Komunës së Ulqinit ka qenë kursimi i buxhetit duke ndalur shpërdorimet dhe shpenzimeve parazitare e abuzive. Nëse shikoni të dhënat zyrtare të shpenzimeve të bëra nga komuna do të shikoni që ne i kemi shkurtuar ndjeshëm shpenzimet e reprezentacionit.

Bëhet fjalë për shpenzimet për dreka, darka, pije dhe dhurata për takime të ndryshme zyrtare të cilat në kuadër të buxhetit të komunës kategorizohen si “shpenzime të reprezentacionit”. Në vitin e fundit 2017 janë bërë vetëm 1 e treta e shpenzimeve të reprezentacionit krahasuar me 2015, vitin e fundit të qeverisjes së kryetarit të mëparshëm të komunës.

Më shumë info
07 01 2018
0

Së shpejti edhe Komuna e Ulqinit do të ketë stadiumin që meriton

Kjo është projekt ideja e stadiumit të ardhshëm të Ulqinit i cili sipas Planit Hapësinor është paraparë që ta ketë lokacionin midis Malit të Bardhë dhe Mavrijanit.

Financimi i këtij projekti do të bëhet nëpërmjet fondeve të komunës sonë, Federatës së Futbollit të Malit të Zi si dhe Ministrisë së Sportit. Komuna ndërkaq është duke përgatitur elaboratin për exproprim në një pjesë të truallit që është pronë private.

Më shumë info
05 01 2018
0

Inspektimi i punimeve në rrugën Ulqin-Krythë

Gjatë inspektimit të punimeve në rrugën Ulqin-Krythë, pamë me kënaqësi se ndërtimi i rrugës po ecën me ritmin e duhur sipas planit.

Ky investim i rëndësishëm infrastrukturor ka për të sjell një ndryshim pozitiv jo vetëm në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë por edhe në zhvillimin ekonomik të zonës.

Infrastruktura moderne është një kusht thelbësor për të mundësuar rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës në komunën tonë prandaj edhe ka qenë e do të mbetet prioritet për ne.

Më shumë info
12