Ju shpesh keni dëgjuar nga Kryetari i Forca-së shprehjen konsolidim të buxhetit të komunës e cila ishte katandisur në gjendje katastrofale me borxhe të shumta dhe pamundësi për të paguar qindra rroga.

Për ta konsoliduar buxhetin një ndër veprimet e para që ka bërë kryetari në këto dy vite qeverisje të Komunës së Ulqinit ka qenë kursimi i buxhetit duke ndalur shpërdorimet dhe shpenzimeve parazitare e abuzive. Nëse shikoni të dhënat zyrtare të shpenzimeve të bëra nga komuna do të shikoni që ne i kemi shkurtuar ndjeshëm shpenzimet e reprezentacionit.

Bëhet fjalë për shpenzimet për dreka, darka, pije dhe dhurata për takime të ndryshme zyrtare të cilat në kuadër të buxhetit të komunës kategorizohen si “shpenzime të reprezentacionit”. Në vitin e fundit 2017 janë bërë vetëm 1 e treta e shpenzimeve të reprezentacionit krahasuar me 2015, vitin e fundit të qeverisjes së kryetarit të mëparshëm të komunës.