FORCA ka për qëllim që deri në fillim të vitit 2014 të pëfundohet dhe miratohet Plani hapësinor i Ulqinit dhe të bëhet zbatimi me rigorozitet i tij, sepse kjo është më se e nevojshme për zhvillimin afatgjatë të qytetit si vend turistik si dhe për të vënë disiplinë në ndërtimtari.
Duhen të bëhen përpjekje serioze që Kadastri të kalojë në kompetencat e Komunës.
Me vazhdimin e administrimit të pushtetit lokal, Forca do të angazhohet që menjëherë pas aprovimit të Ligjit për Legalizimin e Objekteve Informale për të zgjidhur sa më shpejt problemin e mijëra objekteve të ndërtuara pa leje. Nëpërmjet legalizimit të këtyre objekteve do të mund të vilen më shumë të ardhura të cilat do të përdoren për të investuar në infrastrukturën e përbashkët të këtyre zonave. Strategjia e vjeljes së këtyre taksave do t’i përshtatet mundësive financiare të banorëve të Ulqinit.
FORCA ia nisi zbatimin e projektit që Komuna të investojë për ndërtimin e infrastrukturës së një zone industriale në Krythë të Anës së Malit që ka një pozicion strategjik pasi aty kalojnë rrugët që lidhin Ulqinin me Shqipërinë, Krajën dhe Tivarin. Komuna e Ulqinit, me qëllim të krijimit të kushteve për afarizëm në pajtim me rekomandimet e Qeverisë së Malit të Zi, në Qershor të vitit 2012 ka nxjerrë Vendimin për shpalljen e lokalitetit “Krytha e Anës së Malit” zonë biznesi e hapur për investime. Kjo zonë do të tërheqë investime në industrinë ushqimore, artizanale dhe të prodhimtarisë.
Rruga ndërkombëtare Ulqin-Sukubinë, e cila është ndërtuar/riparuar gjatë dy viteve të fundit kur FORCA ishte në pushtet, është e rëndësisë së veçantë për realizimin e projekteve të mësipërme. FORCA synon që komuna të ndërtojë sa më shpejt rrugën Pinjesh – Gjerana në mënyrë që të lidhen shkurt dy pjesët e qytetit. Ky investim mundëson edhe ndërtimin e objekteve të reja.
Planifikimi dhe realizimi i projektit për rregullimin e Port Milenës do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet kryesore. Studimi i fizibilitet ka nisur të bëhet dhe do të mbarojë në gjysmën e parë të vitit 2014.
Përmirësimi i infrastrukturës komunale (kanalizimi, përpunimi i ujërave të zeza, ujësjellësi, ndriçimi i rrugës, trotuari) në Ulqin dhe Shtoj. Gjatë ushtrimit të pushtetit nga ana e FORCËS është filluar ndriçimi publik në Shtoj dhe është përfunduar ndriçimi deri në Qendër të Shtojit. Do të realizohet furnizimi me ujë dhe kanalizimi në Braticë, Kodra, Totosh dhe Mal të Bardhë dhe në Shtoj. Posta dhe ambulanca në Shtoj duhet të funksionojë gjatë tërë vitit.
Komuna e Ulqinit pas fitores së FORCËS do të angazhohet që të sigurojë ndriçimin e fshatrave të lëna pas dore.
Për të zgjidhur problemin e trafikut të ngjeshur në verë, Komuna duhet të vazhdojë të rregullojë parkimin në disa rrugë problematike dhe do të planifikojë ndërtimin e garazheve për parkim nën Kala dhe tek Qendra shkollore. Me plane rregulluese garazhet janë të parapara nën Kala dhe tek Qendra shkollore. Për këto parkingje tashmë është punuar projekti ideor dhe po punohet për sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e tyre. Një pjesë e mjeteve do të sigurohet me vjeljen e kompensimit për rregullim komunal (komunalitë).Gjatë vitit 2013, bazuar në Planin e Rregullimit të Hapësirës, janë realizuar investime në shumë mbi 950,000,00 €.
Për periudhën 2014-2018 planifikohen investime në infrastrukturë komunale që do të tejkalojnë shumën mbi 70 milionë €. Këtu para së gjithash kemi parashikimin e investimit në rregullimin e ujësjellësit dhe kanalizimit në bazë të Studimit të Fizibilitetit që përkrahet nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), fondet IPA dhe Banka Evropiane për Zhvillim (BERZH).
Në periudhën e ardhshme do të sigurojmë përkrahjen e BERZH, Fondeve IPA, Bankës Islamike për Zhvillim (BIZH) dhe Bankës Botërore për sigurimin e financimit të infrastrukturës, që së bashku me mjetet prej kompensimit për komunali, do të jenë prioritet i qeverisjes sonë katër vitet e ardhshme.
Falë këtyre burimeve planifikojmë të investojmë në rregullimin dhe ndërtimin e infrasrukturës, si vijon:
- Rreth rrotullimi tek komuna dhe vazhdimi i bulevardit "Teuta";
- Ndërtimi i trotuareve;
- Ndërtimi i garazheve publike;
- Rregullimi i Braticës, Port Milenës, Bunës;
- Ujësjellësi në Brajshë, Kravar, Rashtishë;
- Vazhdimi i rrugës nga Ura e Re drejt Shtojit;
- Gjelbërimet;
- Ndërtimi i infrastrukturës në zonën e biznesit në Krythë;
- Ndërtimi i rrugëve të ndryshme në Komunë;
- Infrastruktura në Fushën e Ulqinit;
- Investime të ndryshme në infrastrukturë në
- Krruç, Lima, Shtoj;
- Rregullimi i infrastrukturës në Mavrian;
- Restaurimi dhe infrastruktura në Kala;
- Rregullimi i benteve dhe kanaleve;
- Ujësjellësi, kanalizimi dhe impiantet për përpunimin e ujërave të zeza;
- Ndriçime publike.
Këto investime do të jenë bazë reale për krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik të Ulqinit, me prioritet zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë, çka do të sigurojë krijimin e vendeve të punës.