Sot në mëngjes aktivistët tonë kanë vënë re në Ulqin disa kamiona me shtylla dhe materiale të tjera ndërtimore me targa të komunave të tjera të largëta nga Ulqini. Ky kuptohet është një aktivitet pazakontë dhe i dyshimtë për një ditë të dielë dhe mund të shpjegohet vetëm me përpjekjet për të siguruar vota duke korruptuar votuesit me materiale ndërtimore.  Edhe në zgjedhjet e kaluar ne kemi zbuluar e denoncuar raste flagrante të blerjes së votës me materiale ndërtimore.

Pas lajmërimit të ardhur prej aktivistëve, Kryetari i Forcës së Re Demokratike, z. Nazif Cungu ka shkuar personalisht dhe ka kontaktuar me personat që po i sillnin këto materiale ndërtimore. Nga biseda me ta del se këto materiale janë sjellë  nga një kompani e Danilovgradit, për të bërë ndërhyrje infrastrukturore të pa-planifikuara më parë dhe që nuk kanë ndonjë leje ndërtimi të marrë ne Komunën e Ulqinit. Shoferi i njërit prej kamionëve, tregon se sot ka ardhur për herë të parë dhe se janë sjellë dhjetëra shtylla elektrike që po shpërndahen në Braticë dhe Shtoj gjatë ditës së sotshme. Duket qartazi se bëhet fjalë për investime infrastrukturore që bëhen për të siguruar vota.

Këto fakte të mbledhura ne do ia paraqesim institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe komisionit zgjedhor me shpresën se ato do të hetohen dhe ndëshkohen. Është e nevojshme që të ndërpritet njëherë e mirë praktikat e blerjes së votave në mënyrë që Komuna e Ulqinit të arrij më në fund zgjedhje të rregullta të standardeve evropiane. Ne besojmë se është e papranueshme që për një vend si Mali i Zi, anëtar I NATO-s dhe kandidat për t’u bërë anëtar në Bashkimin Evropian, të bëhen kësilloj manipulimesh primitive elektorale në mes të ditës.

Ne kemi një ekip tonin juristësh që do i mbledhë dhe përpunoj këto informacione që po na vijnë për parregullsi . Ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me vëzhguesit që kanë ardhur në Ulqin dhe do ta ndjekim hap pas hapi me vëmendje të gjithë procesin zgjedhor për të identifikuar dhe denoncuar çdo parregullsi.  Edhe nëse organet shtetërore nuk veprojnë pas këtyre denoncimeve, ne do të ngremë vetë padi ndaj atyre që ne identifikojmë se janë të përfshirë në procese të manipulimit elektoral.

I kujtojmë bashkëqytetarëve tanë se për veprime të tilla përgjegjësi penale mbajnë jo vetëm ata që blejnë votat por edhe ata që i shesin ato në këmbim të materialeve ndërtimore. Po ashtu do informojmë për to edhe përfaqësitë diplomatike të pranishme në Mal të Zi si dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe vendase për këto parregullsi të procesit zgjedhor. Me këtë rast i bëjmë edhe njëherë thirrje popullsisë së Ulqinit që të mos  bjerë pre e mashtrimeve e të mos ta shesi të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve tyre për një shtyllë elektrike apo thes me çimento.