Bujqësia

Bujqësia

Bujqësia

FORCA e konsideron zhvillimin e bujqësisë shtyllën e dytë për të zhvilluar Komunën e Ulqinit dhe synon t’i kushtojë shumë vëmendje dhe energji këtij sektori për disa arsye:

  • Do të zvogëlojë papunësinë dhe ulë varfërinë në zonën rurale të komunës duke e ndaluar  emigracionin masiv të deritanishëm;
  • Do ta ndihmojë ndjeshëm sektorin e turizmit duke siguruar ushqim të mjaftueshëm e të freskët për nevoja të vendasve dhe të turistëve;
  • Do të sigurojë lëndë të parë për zhvillimin e një industrie ushqimore konkurruese për të plotësuar nevojat e vendit por edhe për eksport;
  • Do të mundësojë një aktivitet të pasur ekonomik dhe të ardhura të vazhdueshme për komunitetin dhe buxhetin e komunës edhe gjatë periudhës kur nuk ka sezon turistik.

Prandaj, FORCA ka në plan që të ndërmarrë hapat e mëposhtëm:

  • Të rigjenerojë bujqësinë duke siguruar investime infrastrukturore që kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të vaditjes dhe kullimit;
  • Të promovojë bujqësinë në Komunën e Ulqinit duke tërhequr investime, ndihmuar me financime, subvencionime dhe kreditime me kushte të volitshme, sidomos për blerjen e makinerive bujqësore, plehrave kimike, insekticideve apo pesticideve, farërave dhe fidaneve;
  • Të ndërtojë nëpërmjet partneritetit privat-publik qendrat për grumbullimin dhe distribuimin e produkteve bujqësore, të bimëve mjekësore, frutave të egra si dhe të frigoriferëve të specializuar për mirëmbajtje;
  • Të stimulojë në mënyrë të veçantë sektorët me potencial të madh zhvillimi si ullishtarinë, pemëtarinë dhe hortikulturën;
  • Të nxisë përdorimin e serrave, teknikave dhe teknologjive të reja të bujqësisë;
  • Të mbështesë dhe të nxisë zhvillimin e blegtorisë në Komunën e Ulqinit në mënyrë që të rritet prodhimi i qumështit, mishit, leshit, lëkurave dhe të nxitet industria e lidhur me këto nënprodukte;
  • Të subvencionojë dhe të mbështesë në organizimin e shpërndarjes së qumështit;
  • Të nxisë kultivimin e tokave me bimë që t’i shërbejnë blegtorisë si jonxhë  (tërfonjë), lakër foragjere si dhe të nxisë mirëmbajtjen e kullotave që gjenden ne territorin e komunës.

Forca do të nisë të hulumtojë duke marrë përvojat shkencore të huaja për kultivimin e kulturave të reja:

  • Lulet apo bimët industriale që shërbejnë për farmaceutikë apo kozmetikë;
  • Fruta apo perime që nuk janë kultivuar më parë por që janë të përshtatshme për klimën dhe tokën, si për shembull kërpudhat, shpargujt etj.;
  • Hapja e fermave të kulturave të reja që po gjejnë sukses në vendet fqinje si për shembull bletaria, prodhimi i kërmijve për eksport (që kanë pasur sukses në Bosnje dhe Kosovë) makushat ose strucët (që janë provuar me sukses në Shqipëri), drerët etj.

FORCA gjithashtu ka një ndjeshmëri të theksuar ndaj ambientit dhe e sheh zhvillimin e Ulqinit të lidhur ngusht me konservimin e natyrës që do t’i sigurojë jetëgjatësi edhe turizmit. Gjithashtu në tregjet ndërkombëtare është vënë re një rritje e kërkesës për produkte bujqësore organike. Përpos kësaj ofrohen mundësi grantesh dhe kreditime me kushte të volitshme nga shtete dhe institucione ndërkombëtare për të aplikuar bujqësinë organike. FORCA do të angazhohet që në bashkëpunim të ngushtë me fermerët të aplikojë për të shtënë në dorë sa më shumë fonde të huaja dhe nga qeveria qendrore, si dhe duke përdorur edhe buxhetin e saj për nxitje të zhvillimit të bujqësisë organike në Komunën e Ulqinit.

FORCA do të studiojë me vëmendje të madhe mundësitë e shfrytëzimit të pasurisë ujore të Komunës së Ulqinit për të nxitur Akuakulturën. Konkretisht, do të angazhojë ekspertë të njohur për të zhvilluar mundësitë e kultivimit artificial të peshqve, guacave,  apo produkteve të tjera detare në bregdetin e Adriatikut si dhe në ujërat e ëmbla të liqenit të Shasit dhe lumit të Bunës.

admin

Close
Close

Please enter your username or email address. You will receive a link to create a new password via email.

Close

Close