FORCA do të vazhdojë të aplikojë një politikë të plotë transparence dhe bashkëpunimi e konsultimi me shoqërinë civile.
Organizatat joqeveritare kanë për të pasur statusin e vëzhguesit dhe konsultuesit gjatë veprimtarisë zyrtare të Komunës së Ulqinit.
Për të stimuluar akoma më tej shoqërinë civile në Komunën e Ulqinit, FORCA ka menduar që Komuna të vërë në dispozicion të organizatave joqeveritare të reja ambiente të komunës me qira simbolike që do përdoret për të mbuluar shpenzimet bazike të ambienteve. Përveç kësaj, Komuna do të vërë në dispozicion fonde që do të shpërndahen në mënyrë meritokratike për projekte të hartuara nga organizatat joqeveritare të Ulqinit që i shërbejnë të mirës së komunitetit.
Komuna nën administrimin e FORCËS jo vetëm që ka për të qenë e hapur ndaj shoqërisë civile por ka për të bashkëpunuar ngusht me të në rastet kur përputhen qëllimet dhe objektivat, si për shembull në aktivitete artistike, kulturore, mjedisore apo bamirësie.
FORCA e konsideron me shumë rëndësi zhvillimin e mediave shqiptare, prandaj ka për synim që të nxisë Komunën për të mbështetur mediat e shkruara dhe elektronike në shqip.
Nën administrimin e FORCËS do të ketë një bashkëpunim më të ngushtë me institucionet fetare për meremetimin dhe mirëmbajtjen e atyre objekteve fetare që janë monumente kulture, si dhe për organizimin e festimit të festave fetare.