Nën drejtimin e FORCËS, do të bëhet:
- Sigurimi i mjeteve materiale nga Qeveria Qendrore, donatorët ndërkombëtarë, fondet e buxhetit të Komunës dhe burime të tjera për të përmirësuar infrastrukturën shkollore të Komunës, pasuruar bazën materiale dhe bibliotekat shkollore, për të financuar ndërtimin ose përmirësimin e ambienteve sportive të shkollave si dhe blerjen e instrumenteve muzikore dhe mundësimin e programeve artistike në shkolla;
- Angazhimi i Komunës për të përmirësuar tekstet mësimore në shqip, duke bërë nxitje për publikime më cilësore si dhe përkthime më profesionale të redaktuara mirë që respektojnë gjuhën standarde shqipe;
- Promovimi i trajnimeve profesionale që pajisin rininë me specializime hotelierike apo të gatimit, me njohuri të gjuhëve të huaja, aftësi të transferueshme dhe aftësi teknike për t’i bërë sa më konkurrentë në tregun e punës, si dhe për t’i bërë burimet njerëzore të komunës sa më tërheqëse për investime të huaja;
- Organizimi i seminareve, trajnimeve dhe konferencave mes arsimtarëve shqiptarë për të mundësuar përmirësimin e aftësive dhe shkëmbimin e përvojave;
- Dhënia e shpërblimeve dhe bursave për nxënësit më të mirë të Komunës së Ulqinit për të motivuar përgatitjen e tyre sa më të mirë shkollore;
- Lobimi i FORCËS nëpërmjet Komunës së Ulqinit për të siguruar sa më shumë të drejta studimi për maturantët e komunës në universitetet perëndimore si dhe në Podgoricë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni;
- Stimulimi i aktivitete jashtëshkollore: ekipe dhe veprimtari sportive, klube artistike, aktivitete kulturore, konkurse, ekskursione apo vizita;
- Mbledhja e fondeve për bursa të dhëna nga komuna në partneritet me komunitetin e biznesit për të rinj të dalluar të Komunës që të studiojnë në fusha specifike që lidhen me prioritetet e komunitetit si për shembull turizmi, decentralizimi i qeverisjes lokale, urbanistika, mirëmbajtja e monumenteve kulturore e të natyrës, etj.